Një incident i frikshëm ka ndodhur në Queens të New York, ku një 29-vjeçare u sulmua me thikë nga një burrë i panjohur, i cili mbante maskë skijimi.

Policia publikoi pamjet e sulmit, të cilat tregojnë momentin kur viktima, Lizette Ramalles ecte drejt një stacioni autobusi. Video tregon sulmuesin duke e ndjekur nga afër Ramalles ndërsa ajo kalon rrugën, ndërkohë që mban thikën në dorën e djathtë. Burri i panjohur nuk tha asgjë para se ta godiste, më pas u largua pa marrë asnjë send të saj. Viktima pësoi katër goditje me thikë, duke shkaktuar lëndime në shpinë dhe brinjë të thyera. Ajo tha për “New York Post” se nuk e njihte sulmuesin dhe se sulmi ishte i paprovokuar.

“Po prisja semaforin jeshil për të kaluar. Papritmas, djali më qëlloi dy herë me thikë. Kur bërtita, ai u kthye dhe më goditi përsëri,” rrëfeu Ramalles.

Pamjet tregojnë gjithashtu të dyshuarin, i veshur me rroba të errëta, duke ndjekur viktimën në rrugë. Në vendin e ngjarjes u gjet një thikë, ndërsa policia vijon kërkimin e autorit. Sulmi ndodhi në një nga lagjet dikur më të sigurta të New York, e cila ka regjistruar një rritje të vrasjeve prej 62% në vitin 2025.