Një seri të shtënash ka lënë pesë persona të vdekur në Michigan të Shteteve të Bashkuara, ndërsa personi që policia dyshon se qëndronte pas krimeve është gjetur gjithashtu i pajetë pas disa orësh kërkime.

I dyshuari është identifikuar si 39-vjeçari Chad Hickman. Sipas autoriteteve, ai u gjet i vdekur nga një plagë me armë zjarri brenda automjetit të tij, ndërsa dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Alarmi për ngjarjen u dha pak përpara mesditës së të premtes, pas raportimeve për të shtëna në një banesë. Patrullat që mbërritën në adresë gjetën tre persona pa shenja jete dhe një të katërt të plagosur rëndë. Ky i fundit u transportua me urgjencë drejt spitalit.

Hickman nuk ndodhej më në vendngjarje dhe policia nisi menjëherë kërkimet për kapjen e tij.

Gjatë operacionit, hetuesit u përballën me një tjetër skenë krimi. Në një banesë të dytë u zbulua një person tjetër i vrarë, duke ngritur dyshimet se ngjarjet ishin pjesë e së njëjtës seri sulmesh.

Kërkimet për 39-vjeçarin përfunduan pranë një liqeni, në një zonë të pyllëzuar, ku u lokalizua automjeti i tij. Brenda makinës policia gjeti dy persona të pajetë, mes tyre edhe Hickman.

Hetuesit po verifikojnë motivin dhe lidhjen mes viktimave. Dokumentet gjyqësore tregojnë se 39-vjeçari ishte në proces divorci dhe kishte pasur më parë probleme me ligjin.

Në vitin 2024 ai ishte dënuar me mbi një vit burg pas pranimit të fajësisë për dy kundërvajtje. Emri i tij ishte shfaqur edhe në një çështje të vitit 2010, kur ishte përballur me akuza që përfshinin abuzimin e shkallës së katërt ndaj një fëmije dhe kontributin në delikuencën e një të mituri.

Policia po punon për të rindërtuar kronologjinë e sulmeve dhe për të përcaktuar se çfarë e çoi 39-vjeçarin drejt serisë së vrasjeve.