Një sulm tronditës terrorist ka ndodhur mëngjesin e së enjtes jashtë Sinagogës së Kongregacionit Heaton Park në Mançester, pikërisht në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik, Yom Kippur.
Dy burra, Melvin Cravitz, 66 vjeç, dhe Adrian Daulby, 53 vjeç, mbetën të vdekur pasi një person përplasi makinën me turmën dhe më pas filloi t’i godiste me thikë.
Viktima Melvin Cravitz, një anëtar aktiv i komunitetit hebre, ishte mik i ngushtë i rabinit të sinagogës dhe njihej si njeri pozitiv e humorist. Ndërkohë, familja e Adrian Daulby kërkoi privatësi, duke u shprehur të zemëruar dhe të tronditur nga ngjarja.

Autori i dyshuar, 35-vjeçari Jihad Al-Shamie, shtetas britanik me origjinë siriane, u qëllua për vdekje nga policia pak minuta pas sulmit. Ai nuk ishte i njohur më parë për autoritetet dhe ende po hetohet motivi i ngjarjes, që është cilësuar si akt i lidhur me terrorizëm.
Policia britanike ka arrestuar gjithashtu tre persona të tjerë të dyshuar për bashkëpunim në planifikimin e sulmit, ndërsa katër të tjerë mbetën të plagosur, tre prej tyre rëndë dhe ndodhen në spital.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe motivet e sulmit po vazhdojnë në bashkëpunim me shërbimet antiterror të Mbretërisë së Bashkuar.