“Në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, sot zhvillova një takim bilateral me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, – bëri të ditur përmes rrjetit social presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. – Ne biseduam për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje historike ndërmjet dy shteteve.


Kjo është e vetmja mënyrë për ruajtjen e paqes dhe hapjen e perspektivës evropiane për gjithë Ballkanin Perëndimor, ka shkruar presidenti Thaçi, shprehet Thaçi. Vuçiç po ashtu ka konfirmuar për RTS takimin me Thaçin sot në Davos.


“Me rëndësi është bisedojmë dhe të mendojmë për të ardhmen e popullit serb e shqiptar”, citohet të ketë thënë ai.


“Ne duhet të vendosim se ç’është ajo që mundemi, çfarë është ajo që dëshirojmë, ç’është ajo që duam të bëjmë me veten. Në të ardhmen të kemi qasje reale, serioze dhe të përgjegjshme. Të humbim sa më pak që jemi të detyruar dhe të marrim sa më shumë që mundemi. Sa herë e kam thënë se situata në të cilën ne dhe Prishtina po bisedojmë duhet të jetë e tillë që njëri dhe tjetri të jemi nga pak të pakënaqur e të zemëruar”, është shprehur ai.


Kosovën në Davos e përfaqëson presidenti i Republikës, Hashim Thaçi. Mëngjesin e së enjtes, presidenti Thaçi mori pjesë edhe në takimin e liderëve të Evropës, i cili u mbajt në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.


Gjatë ditës, Thaçi do të jetë pjesëmarrës edhe në sesionet e tjera të forumit dhe do të zhvillojë takime bilaterale edhe me përfaqësues të shteteve të ndryshme.


25 janar 2018 (gazeta-Shqip.com)