Një fshat i tërë, i zhytur nën ujë gati gjysmë shekulli më parë, është rishfaqur në Angli pasi thatësira e zgjatur ka shkaktuar rënie të ndjeshme të nivelit të ujit në rezervuarin Rutland Water.

Rrënojat e Nether Hambleton, në Midlands Lindore, janë bërë sërish të dukshme, duke nxjerrë në pah mure guri, gjurmë ndërtesash dhe konturet e rrugëve të vjetra që dëshmojnë për ekzistencën e dikurshme të fshatit.

Nether Hambleton u zhduk nën ujë gjatë viteve 1970, kur më shumë se 3 mijë akra tokë u përmbytën për krijimin e rezervuarit Rutland Water. Në atë kohë, ai konsiderohej liqeni artificial më i madh në Evropë.

Krijimi i rezervuarit detyroi banorët e zonës të braktisnin shtëpitë e tyre dhe të zhvendoseshin në vendbanimet përreth. Mes ndërtesave që përfunduan nën ujë kishte edhe banesa të ndërtuara që në shekullin XVIII.

Zona përreth fshatit përdorej kryesisht për bujqësi, veçanërisht për kultivimin e elbit dhe grurit. Elbi eksportohej në Gjermani për prodhimin e birrës, ndërsa gruri përdorej për prodhimin e bukës.

Për dekada me radhë, mbetjet e Nether Hambleton qëndruan të fshehura në fund të luginës, mes gadishullit të sotëm Hambleton dhe vendbanimit të vogël të Lyndon.

Por tashmë, rënia e pazakontë e nivelit të ujit ka nxjerrë në sipërfaqe një pjesë të rrënojave, duke u ofruar vizitorëve një pamje të rrallë të fshatit të harruar.

Muret e vjetra dhe gjurmët e rrugëve kanë tërhequr vëmendjen e vizitorëve, ndërsa rrënojat përbëjnë një dëshmi të rrallë të jetës dhe historisë së komunitetit që dikur jetonte në këtë zonë të Anglisë.