Shikuesit e vëmendshëm të serialit të animuar “The Simpsons” kanë rikthyer në vëmendje një episod të vjetër, duke vënë re një detaj që sot po interpretohet si jashtëzakonisht shqetësues: aludimi për ekzistencën e një ishulli sekret në pronësi të pedofilit të dënuar Jeffrey Epstein.
Bëhet fjalë për episodin e sezonit të 12-të, “The Computer Wore Menace Shoes”, i transmetuar në vitin 2000. Në këtë episod, Homer Simpson krijon një faqe interneti anonime për të shpërndarë thashetheme dhe teori konspirative, duke përdorur pseudonimin Z. X.
Mes “zbulimeve” të Homerit, shfaqet një njoftim enigmatik që flet për “disa të çmendur në një ishull që sundojnë fshehurazi botën”.
Ky detaj ka nxitur spekulime të shumta, pasi shumë shikues e kanë lidhur drejtpërdrejt me ishullin privat të Epstein në Ishujt Virgjër të ShBA-së, i cili u bë famëkeq vite më vonë.
Skena në fjalë, e shkruar nga John Swartzwelder dhe e drejtuar nga Mark Kirkland, përmban tekstin:
“Vëmendje: Disa të çmendur në ndonjë ishull sundojnë fshehurazi botën”.
Rikthimi i këtij episodi ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë shprehur habi dhe frikë për ngjashmëritë me ngjarje reale që dolën në dritë shumë vite më pas.
“Mbeta pa fjalë pas këtij episodi”, “Ky nuk është thjesht një serial, por një pasqyrim i realitetit”, “Ata duket se dinin gjithçka”, janë disa nga komentet që po qarkullojnë online.
Ndërkohë, disa përdorues të mediave sociale kanë shkuar edhe më tej, duke pretenduar se krijuesi i “The Simpsons”, Matt Groening, dyshohet se ka udhëtuar në të kaluarën me një nga avionët privatë të Jeffrey Epstein. Këto pretendime mbeten spekulative dhe nuk janë shoqëruar me prova zyrtare.
Megjithatë, edhe një herë, “The Simpsons” po përmendet si seriali që “parashikoi” ngjarje të errëta të realitetit, duke nxitur debate të forta mes fansave dhe teoricienëve të konspiracionit.


