Lajme të trishta vinë nga Filipinet, pas tërmetit me magnitudë 7.8 ballë që goditi vendin ditën e sotme. Sipas raportimeve të mediave, bilanci i viktimave është thelluar duke shkuar në 32, teksa deri më tani janë regjistruar mbi 200 persona të plagosur në disa provinca të vendit. Autoritetet raportojnë gjithashtu për të paktën 12 persona të zhdukur, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet nën rrënoja.

Epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë ishullit Mindanao, ku qyteti General Santos, me më shumë se 700 mijë banorë, pësoi dëmet më të rënda. Dhjetëra ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë, ndërsa rrugët u mbuluan nga rrënojat dhe infrastruktura pësoi dëmtime të konsiderueshme. Një nga ngjarjet më tragjike u regjistrua në provincën Sarangani, ku një rrëshqitje e fuqishme dheu e shkaktuar nga lëkundjet mori jetën e 13 banorëve. Viktima të tjera u raportuan në provincat Cotabato Jugore dhe Davao Occidental, ku ndërtesa banimi dhe objekte fetare u shembën si pasojë e dridhjeve të forta.

Tërmeti goditi në një moment kur qindra nxënës ndodheshin në shkolla për ditën e parë të mësimit pas pushimeve dy-mujore. Në qytetin Malita, mbi 100 nxënës po merrnin pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit kur toka nisi të lëkundej fuqishëm. Sipas drejtuesve të shkollës, momentet e panikut ishin të mëdha, me fëmijë që vraponin dhe qanin nga frika, megjithëse fatmirësisht nuk u raportuan lëndime serioze në ambientet shkollore.

Pas tërmetit, autoritetet lëshuan menjëherë alarm për cunami. Valë që arritën deri në 1.4 metra u regjistruan në disa zona bregdetare të Filipineve, ndërsa lëkundjet e detit u ndjenë edhe në Indonezi, Palau dhe pjesë të Japonisë. Paralajmërimi u hoq rreth pesë orë më vonë, pasi rreziku u konsiderua i reduktuar, por disa komunitete bregdetare raportuan dëme materiale nga depërtimi i ujit.

Presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., urdhëroi pezullimin e mësimit në zonat e prekura dhe mobilizimin e menjëhershëm të të gjitha agjencive shtetërore për përballimin e emergjencës. Forcat e shpëtimit, ushtria dhe ekipet mjekësore janë angazhuar në operacionet për nxjerrjen e të mbijetuarve dhe ndihmën ndaj banorëve të prekur. Sizmologët paralajmërojnë se zona mund të përballet me lëkundje të tjera të forta pasuese në orët dhe ditët në vijim, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin hyrjen në ndërtesat e dëmtuara derisa të përfundojnë kontrollet e sigurisë.