Tarifat amerikane për produktet kineze kanë arritur në vlerën 145% , konfirmoi sot një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNBC.

Urdhri i fundit i presidentit amerikan Donald Trump rriti tarifat ndaj Kinës në 125% nga 84% që ishin. Por siç shpjegoi zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, vendosja e tarifës 125% për produktet kineze është realisht shtesë mbi tarifën 20% që SHBA i ka vendosur Kinës për tregtinë e fentanilit.

Sipas dekretit presidencial përkatës, i cili konfirmon edhe pezullimin e tarifave ndaj vendeve të tjera, tarifave 20% të vendosura tashmë që nga fillimi i marsit, i shtohen tarifat 125% të shpallura dje nga Donald Trump ndaj Kinës, si pjesë e luftës kundër trafikut të paligjshëm të fentanilit. Për këtë arsye tarifat totale për produktet kineze arritën në 145%.

Tarifat që SHBA ka vendosur në fuqi janë si më poshtë:

  • Tarifa 145% për të gjitha mallrat nga Kina;
  • Tarifa 25% që synojnë aluminin, makinat, mallrat nga Kanadaja dhe Meksika që nuk mbulohen nga Marrëveshja SHBA-Meksikë-Kanada;
  • Tarifa 10% për të gjitha importet e tjera.

Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se “nëse pala amerikane këmbëngul për një luftë tarifore ose luftë tregtare, Kina do të luftojë deri në fund.”

Kina këmbëngul dhe mosmarrëveshja tregtare me SHBA po shkon drejt një ekstremi, pasi vendi deklaron se nuk do të tërhiqet. Pekini duket se ka hartuar plane afatshkurtra dhe afatgjata për të diversifikuar modelin e tij ekonomik në mënyrë që të jetë më pak i varur nga eksportet. Aktualisht duket se Pekini do të synojë sektorë të lidhur me votuesit e Presidentit Trump, si bujqësia dhe blegtoria, të cilët aktualisht janë dy sektorë shumë të ekspozuar, pasi Kina është tregu kryesor i tyre.

“Kërcënimet dhe shantazhet nuk janë mënyra e duhur për t’u marrë me Kinën”, tha zëdhënësi kinez.