Rëndohet bilanci i sulmit të armatosur në Mersin, ku numri i viktimave ka shkuar në pesë, ndërsa tetë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Sipas mediave turke, autori i dyshuar, Metin Ö., e nisi serinë e vrasjeve pasi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten e tij, Arzu Özden, në lagjen Darıpınarı të rrethit Çamlıyayla.
Më pas, ai hapi zjarr në një restorant në lagjen Kadelli Dörtler, ku mbetën viktima pronari i lokalit, Sabri Pan, i cili ndërroi jetë në spital, si dhe punonjësi Ahmet Ercan Can, që humbi jetën në vendngjarje.
Pas sulmit në restorant, autori u largua me automjet dhe vijoi të qëllonte në zona të tjera. Në lagjen Kaburgediği ai vrau Yusuf Oktay, i cili po kulloste kafshët, ndërsa në zonën Yenimahalle ekzekutoi pranë banesës së tij shoferin e kamionit Abdullah Koca.
Gjatë arratisjes, autori plagosi edhe tetë persona të tjerë përgjatë itinerarit të tij, ndërsa autoritetet turke kanë paralajmëruar se bilanci i të plagosurve mund të rritet.
Policia vijon operacionin për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të motiveve të sulmit.
