Një operacion i ndërlikuar kërkimi po zhvillohet në Maldive, ku ekipe specialistësh nga Finlanda, Britania e Madhe dhe Italia janë nisur drejt atolit Vaavu për të marrë pjesë në kërkimin e katër zhytësve italianë të zhdukur pas një tragjedie nënujore në të ashtuquajturën “Shpella e Peshkaqenëve”.

Autoritetet lokale kanë pezulluar përkohësisht kërkimet zyrtare për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe një tjetër incidenti tragjik, ku një zhytës ushtarak i angazhuar në operacion humbi jetën si pasojë e sëmundjes së dekompresionit. Ngjarja ka rritur edhe më shumë rrezikun dhe vështirësinë e operacionit.

Kërkimet pritet të rifillojnë në orët e para të së hënës dhe do të drejtohen nga ekipe private evropiane, të angazhuara nga familjarët e viktimave dhe autoritetet italiane, me shpresën për të gjetur trupat e katër personave të zhdukur.

Mes viktimave janë një profesoreshë e njohur e ekologjisë nga Universiteti i Gjenovës, vajza e saj, si dhe dy zhytës të tjerë me përvojë. Ndërkohë, trupi i një instruktori zhytjeje, pjesë e grupit, është gjetur më herët pranë hyrjes së shpellës nënujore.

Sipas informacioneve paraprake, bombola e oksigjenit e instruktorit të gjetur ishte bosh, çka dyshohet se tregon se ai tentoi të dilte nga shpella, por nuk arriti të orientohej në kohë. Hetuesit besojnë se edhe pjesa tjetër e grupit mund të ketë pësuar të njëjtin fat brenda kompleksit nënujor.

Shpella ku ndodhi tragjedia ndodhet në një thellësi prej rreth 50 deri në 60 metrash dhe karakterizohet nga korridore të ngushta, dukshmëri e ulët dhe rryma të forta nënujore. Ekspertët e konsiderojnë zonën si një nga më të rrezikshmet për zhytje në rajon.

Hetimet po fokusohen në disa pista, përfshirë mungesën e oksigjenit, çorientimin brenda shpellës, probleme teknike me pajisjet dhe ndikimin e rrymave të forta nënujore. Një tjetër hipotezë lidhet me mundësinë e një zinxhiri gabimesh gjatë përpjekjeve për të ndihmuar njëri-tjetrin, çka mund të ketë sjellë konsum të shpejtë të ajrit dhe panik nën ujë.

Sipas specialistëve, zhytjet në këtë zonë kërkojnë nivel të lartë teknik dhe leje të posaçme, pasi kushtet tejkalojnë kufijtë e zakonshëm të zhytjeve rekreative. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi organizimin e ekspeditës dhe respektimin e standardeve të sigurisë.

Familjarët e viktimave kanë kërkuar transparencë të plotë mbi rrethanat e ngjarjes, ndërsa autoritetet italiane dhe ndërkombëtare vijojnë hetimet për të zbardhur minutë pas minute atë që ndodhi në thellësitë e shpellës nënujore.