Një tronditje e madhe ekonomike është regjistruar së fundmi për themeluesin dhe kreun e MetaPlatforms të Facebook, Mark Zuckerberg, i cili e pa pasurinë e tij të pakësuar me më shumë se gjysmën e vlerës së saj.

Sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, që gjurmon njerëzit më të pasur në botë, Zuckerberg ra në vendin e 20-të, teksa kjo është humbja më e madhe midis ultra të pasurve të indeksit.

Pasuria neto e Mark Zuckerberg ra nga 106 miliardë dollarë dy vjet më parë në 55.9 miliardë dollarë sot.

Mësohet se sot pozicioni i tij në indeks është më i ulëti që nga viti 2014. Në shtator 2021, kur themeluesi i Facebook ishte në kulmin e tij, pasuria e tij vlerësohej në 142 miliardë dollarë.

Muajin në vijim ai njoftoi Meta Platforms dhe ndryshoi emrin e kompanisë nga Facebook.

Në shkurt, kompania publikoi një raport të të ardhurave që tregoi se nuk kishte rritje të përdoruesve mujorë të Facebook, duke ngritur pikëpyetje në lidhje me pozicionin e kompanisë në mediat sociale.