Ministri gjerman i Kulturës, Wolfram Weimer, ka bërë një deklaratë të fortë ndaj gjigantit teknologjik Google, duke i bërë thirrje për shkrirje të kompanisë.
Në një intervistë për “Politico”, Weimer përshëndeti vendimin e Komisionit Europian që gjobiti Google me 2.95 miliardë euro për shkelje të konkurrencës.

“Nuk bëhet fjalë thjesht për një kompani me pozitë dominuese që përfiton nga fuqia e saj. Google po ndryshon peizazhin mediatik dhe, me këtë, themelet demokratike të një vendi. Nga radiot lokale tek televizioni dhe mediat e shkruara – Google po thith çdo gjë. Kjo kërcënon lirinë tonë të shprehjes,” – deklaroi ai.

Weimer, ish-gazetar i “Die Welt”, paralajmëroi se do të vazhdojë me masa ligjore antitrust ndaj Google dhe kompanive të tjera të ngjashme, duke e cilësuar këtë një betejë për mbrojtjen e medias dhe demokracisë në Europë.