Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka konfirmuar se ka pasur një bisedë të tensionuar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, lidhur me operacionet ushtarake të Izraelit në Liban dhe rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Në një intervistë për New York Post, Trump pranoi se përdori tone të ashpra gjatë telefonatës me Netanyahun, pasi shprehu shqetësimin për vazhdimin e luftimeve me Hezbollahun dhe kërcënimet për të goditur kryeqytetin libanez, Bejrutin.
“Po, isha i shqetësuar nga lufta e vazhdueshme me Libanin”, tha Trump, duke shtuar se i kishte kërkuar Netanyahut të ulte tensionet. “I thashë: ‘Bibi, duhet ta ndalojmë këtë’”, deklaroi ai.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Trump u zemërua nga planet e mundshme të Izraelit për të zgjeruar operacionet ushtarake në Liban, duke vlerësuar se një përshkallëzim i mëtejshëm mund të dëmtonte përpjekjet diplomatike për rifillimin e negociatave me Iranin dhe stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, presidenti amerikan theksoi se marrëdhëniet personale dhe politike me Netanyahun mbeten të mira.
“Më pëlqen shumë Bibi dhe kemi punuar shumë mirë së bashku”, u shpreh Trump, duke nënvizuar se bashkëpunimi mes Uashingtonit dhe Jerusalemit vazhdon pavarësisht mosmarrëveshjeve të momentit.
Pas telefonatës, Trump e cilësoi bisedën si “shumë produktive” në një postim në platformën e tij Truth Social.
Deklaratat vijnë në një kohë kur administrata amerikane po përpiqet të avancojë një zgjidhje diplomatike për konfliktet në rajon, ndërsa Trump ka përsëritur se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se lundrimi nëpër Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet i lirë dhe i sigurt.
