Një rekord i ri botëror është vendosur në Londër nga mbi 100 mjeshtër italianë të ëmbëlsirave, të cilët realizuan tiramisunë më të gjatë të krijuar ndonjëherë.
Sipas të dhënave zyrtare të Guinness World Records, kjo ëmbëlsirë arriti një gjatësi prej 440.58 metrash, duke thyer çdo rekord të mëparshëm në këtë kategori.
Projekti gjigant kërkoi dy ditë përgatitje intensive dhe përdorimin e përbërësve të freskët. Në total u konsumuan rreth 19 mijë vezë, 400 kilogramë sheqer dhe afro 128 mijë biskota, duke e bërë këtë një ndër ndërmarrjet më sfiduese në aspektin organizativ dhe kulinar.
Faza përfundimtare e montimit zgjati rreth pesë orë dhe u zhvillua në ambientet e Chelsea Old Town Hall, ku u bë edhe certifikimi zyrtar i rekordit.
Pas konfirmimit, atmosfera u kthye në festë, me pjesëmarrësit që shpërthyen në duartrokitje dhe festime, ndërsa tiramisuja u nda në porcione dhe iu shpërnda publikut të pranishëm.
