Policia norvegjeze ka ushtruar kontrolle në banesat e ish-kryeministrit Thorbjorn Jagland, në kuadër të një hetimi që lidhet me marrëdhëniet e tij të dyshuara me financierin amerikan Jeffrey Epstein.

Sipas mediave norvegjeze, hetues të njësisë kundër korrupsionit Okokrim janë parë duke nxjerrë materiale nga rezidenca e Jagland në Oslo. Kontrollet u zhvilluan një ditë pasi Këshilli i Evropës, institucion që Jagland e drejtoi nga viti 2009 deri në vitin 2019, vendosi t’i heqë imunitetin diplomatik.

Avokati i tij, Anders Brosveet, konfirmoi se bastisjet ishin të pritshme dhe pjesë e procedurave standarde hetimore. Ai bëri të ditur se klienti i tij tashmë është nën hetim për korrupsion, një hap procedural në legjislacionin norvegjez që paraprin ngritjen e akuzave formale.

Autoritetet konfirmuan se përveç banesës në Oslo, janë kontrolluar edhe prona të tjera në jug të Norvegjisë dhe në qarkun Telemark. Kreu i Okokrim, Paal Loenseth, deklaroi për Reuters se Jagland do të merret në pyetje në vijim të hetimeve.

Vetë Jagland është shprehur se mirëpret sqarimin e çështjes.

Rasti ka marrë vëmendje edhe për shkak të një e-maili të vitit 2012, i cili sipas raportimeve i ishte dërguar Jeffrey Epstein dhe përmbante një koment që ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ekzistojnë elementë penalë që do të çonin në ngritjen e akuzave formale.