Një 38-vjeçar është arrestuar nga autoritetet amerikane pranë fushës së golfit të presidentit Donald Trump në Kaliforni. Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit, i arrestuari Janin John Taele, u pa duke lëvizur në ambientet e “Trump National Golf Course” në Rancho Palos Verdes, ndërsa fotografonte dhe filmonte zonën, duke vëzhguar edhe përgatitjet e sigurisë. Pas ndërhyrjes së policisë, autoritetet zbuluan se 38-vjeçari mbante me vete një pistoletë dhe municione të paligjshme. Ai u arrestua pasditen e së dielës, ndërsa Trump ndodhet në Kaliforni për të marrë pjesë në një darkë të Partisë Republikane për mbledhje fondesh, e planifikuar të zhvillohet të martën në të njëjtën fushë golfi.

Hetimet zbuluan gjithashtu se Taele ishte në kërkim nga Policia e El Segundo për një çështje grabitjeje. Gjatë kontrollit fizik, policia i gjeti një karikator me 16 fishekë të tipit hollow-point, ndërsa në automjetin e tij u sekuestruan një pistoletë e mbushur dhe një tjetër karikator me të njëjtin lloj municioni. Autoritetet kujtojnë se ligjet e Kalifornisë ndalojnë karikatorët me kapacitet mbi 10 fishekë, ndërsa plumbat hollow-point konsiderohen veçanërisht të rrezikshëm, pasi deformohen gjatë goditjes dhe shkaktojnë dëmtime të rënda.

Një ditë më pas, agjentë të FBI-së dhe të Njësisë së Përbashkët Kundër Terrorizmit kontrolluan banesën e të dyshuarit në Downey, ku sekuestruan një pushkë të modifikuar në mënyrë të paligjshme të tipit AR, një pistoletë të kalibrit .45, jelek antiplumb, karikatorë me kapacitet të lartë, sasi të konsiderueshme municionesh, si edhe disa blloqe shënimesh që, sipas autoriteteve, përmbanin “referenca shqetësuese”.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Shërbimin Sekret të Shteteve të Bashkuara, ndërsa zyrtarët nuk përjashtojnë ngritjen e akuzave të tjera. Megjithatë, Zyra e Sherifit theksoi se deri më tani nuk ka prova për një kërcënim të besueshëm ndaj komunitetit dhe as nuk është konstatuar se i dyshuari kishte planifikuar të sulmonte presidentin Donald Trump. Ngjarja ndodh në një periudhë kur masat e sigurisë për presidentin amerikan janë rritur ndjeshëm, pas disa incidenteve të rënda të regjistruara gjatë viteve të fundit.