Të paktën 35 persona thuhet se janë mbytur pasi një gomone që transportonte deri në 60 emigrantë dhe refugjatë u mbyt ndërsa po udhëtonte për në Ishujt Kanarie të Spanjës herët në mëngjesin e ditës së sotme.

Organizatat joqeveritare në Spanjë thanë se 60 persona ishin në gomone, nga të cilët 39 rezultojnë të zhdukur. Ndërsa Alarm Phone, i cili operon si një rrjet trans-evropian që mbështet operacionet e shpëtimit, tha se 35 persona ishin të zhdukur. Alarm Phone në fillim raportoi se gomonia po merrte ujë dhe tre pasagjerë ishin të vdekur.

As roja bregdetare e Spanjës dhe as autoritetet marokene nuk kanë konfirmuar se sa njerëz kanë qenë në bordin e gomones ose sa mund të ishin të zhdukur. Trupi i një fëmije u gjet nga autoritetet spanjolle dhe u dërgua me helikopter në Gran Canaria. Roja bregdetare më vonë tha e një trup i dytë ishte gjetur nga një anije tregtare, Navios Azure, pa dhënë më shumë detaje.

Gjatë viteve të fundit, konflikti dhe paqëndrueshmëria, kriza klimatike, mbyllja e kufijve gjatë pandemisë Covid dhe kontrollet e shtuara në disa vende të Afrikës Veriore kanë bërë që bandat që transportojnë migrantë dhe refugjatë midis Afrikës dhe Evropës të përdorin më shumë rrugën e rrezikshme të Atlantikut për në Spanjë. Shifrat e OKB-së tregojnë se 29,895 njerëz arritën në Spanjë përmes detit vitin e kaluar, ndërsa 643 vdiqën. Muajt ​​e hershëm të verës janë një kohë e përshtatshme për migrantët dhe refugjatët që të kërkojnë të kalojnë në Spanjë nga deti.