Temperaturat e larta vijojnë të marrin jetë në Evropë, teksa në Francë ka ndodhur një tragjedi. Sipas mediave të huaja, viktima më e fundit është një 3-vjeçar, i cili u gjet i pajetë në makinën e prindërve. Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan ta rikthenin në jetë, por pavarësisht përpjekjeve, 3-vjeçari u shpall i vdekur.
Hetimet paraprake tregojnë se fëmija kishte mbetur pa mbikëqyrje për të paktën 45 minuta. Dyshohet se ai kishte hyrë vetë në automjetin e parkuar pranë banesës dhe kishte mbetur i bllokuar brenda. Në atë kohë, nëna po flinte me foshnjën 18-muajshe të familjes, ndërsa babai ndodhej duke punuar në një kasolle në oborr. Nëna është transportuar në spital në gjendje shoku, ndërsa prokuroria ka nisur një hetim për vrasje nga pakujdesia. Trupi i të miturit është dërguar në institutin mjeko-ligjor për kryerjen e autopsisë.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një rasti tjetër tragjik në Francë. Më 22 qershor, dy fëmijë të moshës 2 dhe 4 vjeç u gjetën të pajetë brenda makinës së familjes në Carpentras, pasi kishin hyrë në automjet dhe kishin mbetur të bllokuar, ndërsa nëna e tyre ishte e zënë me sistemimin e ushqimeve. Edhe në atë rast, përpjekjet e mjekëve për t’i shpëtuar rezultuan të pasuksesshme.
