Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 ka goditur Filipinet, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë vlerësimin e dëmeve.

Sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile të Filipineve, bilanci i viktimave ka shkuar në 15 persona. Drejtori i zyrës lokale të mbrojtjes civile, Rodrigo Sosmeña, bëri të ditur se 12 prej viktimave janë regjistruar në rajonin Soccsksargen, që përfshin provincat South Cotabato, Sultan Kudarat, Sarangani dhe qytetin General Santos.

Autoritetet raportojnë gjithashtu të paktën 129 persona të plagosur në këtë rajon, ndërsa ekipet e emergjencës ndodhen në terren për operacionet e shpëtimit dhe ndihmës.

Frika për rritjen e bilancit mbetet e lartë, pasi dëmet në disa zona ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të tregojnë kujdes për shkak të lëkundjeve pasuese që mund të ndodhin.