Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin italian, ku një 50-vjeçare ka humbur jetën pas një sulmi të dyshuar nga djali i saj 16-vjeçar.

Ngjarja është regjistruar në lagjen Centocelle, në periferi të Romës, në apartamentin ku nëna dhe i biri jetonin prej rreth tre vitesh. Sipas mediave italiane, fqinjët nuk kishin vënë re më herët konflikte të veçanta mes tyre dhe në momentin e ngjarjes nuk kishin dëgjuar zhurma apo thirrje për ndihmë.

Pas sulmit, adoleshenti dyshohet se ka telefonuar vetë numrin e emergjencës 112 dhe u ka treguar operatorëve se kishte goditur nënën e tij.

Kur forcat e policisë mbërritën në adresë, 16-vjeçari u gjet jashtë pallatit, i ulur dhe me rrobat të mbuluara me gjak. Ndërkohë, brenda apartamentit, në katin e parë, efektivët gjetën nënën e tij ende në jetë, por në gjendje kritike.

50-vjeçarja u dërgua me urgjencë në Poliklinikën Tor Vergata, ku mjekët tentuan t’i shpëtonin jetën. Megjithatë, disa orë më vonë ajo ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Pas ngjarjes, 16-vjeçari është shtruar në repartin psikiatrik të Poliklinikës Umberto I në Romë. Hetuesit po punojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes dhe motivet që mund të kenë çuar në sulm.

Sipas informacioneve paraprake të hetimit, adoleshenti kishte shfaqur probleme edhe më herët, ndërsa autoritetet po verifikojnë rrethanat e mëparshme familjare dhe gjendjen e tij.