Një ngjarje e rëndë ka tronditur Torinon në Itali, ku një 39-vjeçar, i identifikuar si Fabio Colapietro, dyshohet se është vrarë dhe më pas është copëtuar. Për krimin ka pranuar përgjegjësinë 26-vjeçari Christian Matheus De Oliveira Morando, i cili dyshohet se e ka sulmuar viktimën pas një konflikti që lidhej me paratë.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur në një ambient ku po konsumohej drogë. Detajet e rënda të ngjarjes janë bërë të ditura edhe përmes dëshmive të nënës së 26-vjeçarit, e cila ka folur për emisionin italian “Ore 11”.
Gruaja ka treguar se djali i saj nuk ishte kthyer në shtëpi për më shumë se një javë dhe se, kur e telefonoi, fliste në mënyrë të çrregullt dhe i la të kuptonte se kishte ndodhur diçka e rëndë. Ajo e këshilloi të kontaktonte policinë.
Sipas nënës, i riu ishte i tronditur dhe qante gjatë telefonatës me autoritetet, ndërsa në një moment ia kaloi telefonin asaj për t’i shpjeguar situatën.
Nga versioni që 26-vjeçari i ka treguar familjes, ai ndodhej në një festë ku konsumohej drogë. Pretendon se ishte në gjumë kur u zgjua dhe pa një burrë duke marrë disa sende. Pas kësaj, mes tyre nisi një përleshje, ku dyshohet se u përfshinë edhe dy persona të tjerë që ndodheshin në banesë.
Nëna e tij ka deklaruar se fillimisht personat e pranishëm menduan se 39-vjeçari kishte humbur ndjenjat, por më pas kuptuan se ai kishte vdekur.
26-vjeçari dyshohet se më pas ka copëtuar trupin e viktimës. Rrethanat e sakta të vrasjes dhe mënyra se si ka vijuar ngjarja po hetohen nga autoritetet italiane.
Nëna e të dyshuarit ka deklaruar gjithashtu se djali i saj ka pasur probleme të lidhura me përdorimin e drogës dhe çrregullime të personalitetit. Sipas saj, ai ka qenë i shtruar edhe në repartet e psikiatrisë, por është larguar në disa raste për shkak të vështirësive për të qëndruar në spital.
Hetuesit po vijojnë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të krimit, motivin dhe rolin e personave të tjerë që mund të kenë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
