Një 44-vjeçar është dërguar në gjyq nga Gjykata e Leçes, pasi akuzohet se është shtirur si gjinekolog dhe u ka kërkuar dhjetëra grave foto dhe video intime.
Sipas hetimeve, ngjarjet kanë ndodhur mes korrikut dhe tetorit të vitit 2021 dhe janë të përfshira 18 gra të moshës 20 deri në 40 vjeç, shumica prej tyre me banim në Leçe.
I dyshuari akuzohet për tentativë dhune seksuale, marrje në mënyrë të paligjshme të të dhënave personale dhe uzurpim të funksioneve publike.
Rasti u denoncua fillimisht nga një studente 24-vjeçare nga Leçe. Sipas rindërtimit të hetuesve, 44-vjeçari dyshohet se kishte siguruar të dhëna shëndetësore të grave dhe më pas i kishte kontaktuar në telefon, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si gjinekolog i strukturës spitalore ku ato kishin kryer më parë analiza dhe ekzaminime.
Ai dyshohet se u komunikonte grave diagnoza të rreme dhe u kërkonte të dërgonin fotografi të pjesëve intime të trupit, me pretendimin se nevojiteshin për ekzaminime të mëtejshme.
Sipas akuzës, në disa raste ai u sugjeronte edhe një “terapi” që përfshinte akte autoerotike para kamerës së kompjuterit, si dhe u kërkonte informacione të hollësishme mbi jetën e tyre seksuale.
Hetimet zbuluan se në rastin konkret ishin përfshirë 18 gra, ndërsa burimet italiane raportojnë se i akuzuari kishte arritur të siguronte dhjetëra materiale intime.
44-vjeçari ndodhet aktualisht në paraburgim. Sipas të dhënave të bëra publike, ai kishte pasur më parë probleme me drejtësinë për fakte të ngjashme. Në vitin 2012 ishte arrestuar pas një hetimi të kryer nga Policia Postare dhe më vonë ishte dënuar nga Gjykata e Bolonjës.
Tashmë ai do të përballet me procesin gjyqësor për akuzat që lidhen me ngjarjet e vitit 2021.
