Një aeroplan i vogël u përplas me një ndërtesë në qytetin Belo Horizonte të Brazilit, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave, sipas autoriteteve lokale.

Sipas Departamentit të Zjarrfikësve, në bord ndodheshin pesë persona në momentin e aksidentit. Avioni goditi fillimisht një ndërtesë trekatëshe dhe më pas ra në parkingun e një kompleksi banimi.

Banorët raportuan se aeroplani po fluturonte në lartësi shumë të ulët dhe se përpara përplasjes ishte dëgjuar një zhurmë e fortë. Disa dëshmitarë sugjerojnë se piloti mund të ketë tentuar të shmangë një ndërtesë shkolle pranë zonës, por përfundoi duke u përplasur me një pallat.

Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit dhe po mbledhin të dhëna nga vendngjarja dhe dëshmitarët.