Një ngjarje e rëndë ka tronditur Francën, ku një 15-vjeçar u vra me armë zjarri dhe dy të mitur të tjerë mbetën të plagosur. Sipas autoriteteve franceze, ngjarja ka ndodhur në qytetin Nantes të enjten në mbrëmje rreth orës 19:30, në një kompleks apartamentesh. Sulmuesit, të cilët lëviznin me motoçikletë, hapën zjarr ndaj tre adoleshentëve dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes.

Autoritetet njoftuan se një prej adoleshentëve, i cili sapo kishte mbushur 15 vjeç, humbi jetën në hyrje të ndërtesës. Një tjetër adoleshent, 13 vjeç, ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një 14-vjeçar mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, autorët ndoqën një nga djemtë deri në katin e 13-të të pallatit, ku ai ishte strehuar në një apartament, duke treguar brutalitetin e sulmit. Autoritetet franceze dyshojnë se ngjarja lidhet me larje hesapesh mes grupeve të trafikut të drogës.