Një ngjarje e rëndë familjare është regjistruar në Napoli të Italisë, ku një 12-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pasi u sulmua me thikë nga babai i tij brenda banesës.

Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi pas një konflikti në familje. I mituri u godit dy herë në gjoks, ndërsa goditjet i depërtuan në mushkëri, duke e lënë në gjendje kritike për jetën.

Pas sulmit ndaj të birit, autori dyshohet se tentoi të vetëlëndohej, duke goditur veten me thikë në fyt dhe në fytyrë.

Gjatë përplasjes mbeti e plagosur edhe nëna e 12-vjeçarit, e cila raportohet se ka marrë dëmtime në dorë.

Babai dhe djali u transportuan me urgjencë në spitalin “Vecchio Pellegrini” në Napoli, ku ndodhen nën kujdes intensiv mjekësor. Ndërkohë, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.