Më 24 mars të vitit të kaluar një familje në Zvicër,në Montreux ka humbur jetën duke u hedhur nga ballkoni. Sipas policisë kjo ngjarje ka qenë e planifikuar nga vetë ata.

Një vajzë tetëvjeçare, një djalë 15 vjeç, babai dhe nëna e tyre dhe motra binjake e nënës ranë nga banesa e tyre në katin e shtatë. Djali ishte në koma, por tani është rikuperuar nga plagët e rënda. Ai nuk e kujton atë ditë, thonë hetuesit. Provat mjeko-ligjore nuk zbuluan asnjë shenjë të një lufte përpara vdekjes dhe autopsitë nuk treguan asnjë gjurmë droge.

Pas një viti hetimi, autoritetet zvicerane thonë se nëna e familjes dhe motra e saj ishin të përfshira në teoritë e mbijetesës dhe konspiracionit.

Pas vdekjeve, policia gjeti në banesën e tyre plot ushqime, ilaçe dhe materiale higjienike, të ruajtura dhe të organizuara me kujdes. Familja dilte rrallë dhe fëmijët shkolloheshin në shtëpi. Dy gratë kishin një dyshim të thellë ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale, thonë hetuesit dhe i kishin rritur fëmijët të besonin se bota ishte një vend armiqësor.

Pandemia e Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, kishin shërbyer vetëm për të forcuar bindjen e tyre. Kërkimet në banesë dhe në pajisjet elektronike zbuluan se vetëvrasja kolektive ishte planifikuar me kujdes, madje edhe përsëritur.

Të rriturit me sa duket po prisnin momentin e duhur për t’u nisur drejt asaj që ata besonin se do të ishte një botë më e mirë, larg asaj që kishin frikë, thuhet në raportin e policisë.

Ajo që duket se ka shkaktuar vendimin e tyre ishte një vizitë sociale nga policia e Montreux. Ata ndaluan atë mëngjes për t’i kujtuar babait që të shkonte në një takim me autoritetet lokale të arsimit për të diskutuar mbi shkollimin në shtëpi të djalit të tij, pasi ai nuk u ishte përgjigjur disa letrave.

Ata nuk e lanë policinë të hynte dhe mbetën të vdekur disa minuta më vonë. Të martën, autoritetet zvicerane apeluan për privatësi për djalin e mbijetuar.