Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot zonën e Danilovgradit në Mal të Zi, ku tre persona janë vrarë me armë zjarri, ndërsa policia malazeze ka shpallur në kërkim shtetasin rus Mihail Šabunjin, 30 vjeç, i dyshuar si autor i ngjarjes.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur sot, pak pas orës 16:00, në një poligon qitjeje në afërsi të Danilovgradit, ku dyshohet se Šabunjin ka qëlluar për vdekje Petra Globarević, 24 vjeç, nga Podgorica, Momir Radonjić, 67 vjeç, nga Danilovgradi dhe Nemanja Kapor, 20 vjeç, nga Podgorica. Sipas mediave malazeze, të tre viktimat ishin të punësuar në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”. Pas ngjarjes, policia dyshoi se 30-vjeçari rus është larguar nga vendi i krimit me një automjet tip “Seat Cordoba”, të zi, me targa PG AC 472. Automjeti rezulton në pronësi të babait të njërit prej personave të vrarë.

Policia ka nisur menjëherë kërkimet për gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa po verifikon edhe nëse ai është larguar me automjetin e sipërpërmendur. Më vonë, automjeti është gjetur në zonën e Rogamëve, pranë restorantit “Stefan”, sipas burimeve të mediave lokale. Megjithatë, policia vijon kërkimet për Mihail Šabunjin, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se ai dyshohet se është i armatosur. Drejtoria e Policisë u ka bërë apel qytetarëve të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në banesat e tyre, ndërsa vijon operacioni për kapjen e të dyshuarit.

“Ftojmë qytetarët që, nëse kanë të dhëna për personin e dyshuar ose e vërejnë atë, të raportojnë të dhënat për vendndodhjen dhe lëvizjet e tij në Drejtorinë e Policisë, në numrin pa pagesë 122, përmes aplikacionit ‘Policija CG’ (Stacioni Virtual i Policisë) ose në çdo mënyrë tjetër. Informacioni mund t’i përcillet policisë edhe në mënyrë anonime”, njoftoi policia.

Autoritetet u kanë kërkuar qytetarëve të ndihmojnë në lokalizimin e të dyshuarit, duke theksuar se fshehja e informacionit për një person në kërkim përbën vepër penale.