Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indinë, ku një 23-vjeçare dyshohet se është vrarë nga bashkëshorti i saj pas konflikteve të vazhdueshme në çift dhe dyshimeve për tradhti.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Galagali, në distriktin Bagalkot të Karnataka-s, ku Bhagyasri Jigalur u gjet e pajetë në banesën e saj. Sipas policisë, bashkëshorti i saj, Pravin Jigalur, dyshohet se e ka sulmuar fillimisht me një objekt druri dhe më pas e ka varur.

Autoritetet bëjnë me dije se i dyshuari dyshohet se ka regjistruar me telefon momentet e fundit të jetës së gruas së tij dhe videon ua ka dërguar disa personave, përfshirë edhe prindërit e viktimës. Më tej, ai dyshohet se ka kryer edhe një videotelefonatë me ta, duke i bërë dëshmitarë të ngjarjes tragjike.

Sipas hetimeve paraprake, çifti kishte pasur probleme të vazhdueshme në marrëdhënien e tyre. 23-vjeçarja ishte larguar nga banesa e përbashkët rreth dy muaj më parë dhe kishte shkuar të jetonte me prindërit, por dyshohet se ishte kthyer pas premtimeve të bashkëshortit për përmirësimin e marrëdhënies.

Policia dyshon se krimi ka ndodhur pikërisht natën kur gruaja ishte rikthyer në banesë. Pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët arrestuan Pravin Jigalur dhe nisën hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje dhe reagime të forta në komunitet, ndërsa autoritetet vijojnë procedurat ligjore ndaj të dyshuarit.