Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në jug të Otavës, Kanada, ku një dentist 40-vjeçar dyshohet se është përfshirë në vrasjen e dy fëmijëve të tij të mitur.
Sipas policisë së Otavës, ngjarja ka ndodhur më 29 qershor, në banesën e familjes, ku dyshohet se kanë humbur jetën dy djemtë e moshave 7 dhe 12 vjeç.
Pas ngjarjes, autoritetet dyshojnë se 40-vjeçari Mohammed Al-Lami ka shkaktuar zjarr në klinikën dentare ku punonte, përpara se të gjendej i vdekur në automjetin e tij.
Hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj tragjedie, ndërsa po shqyrtojnë edhe historikun e marrëdhënies së tij me ish-bashkëshorten.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Al-Lami ishte nën procedim për akuza që lidhen me kërcënime ndaj ish-partneres së tij në vitin 2024. Gjatë një procesi gjyqësor, ai kishte zgjedhur të përfaqësonte veten, ndërsa çështja lidhej me konfliktet pas ndarjes së çiftit.
Ish-bashkëshortja kishte deklaruar se pas ndarjes në vitin 2022 kishte pasur probleme të vazhdueshme dhe se kishte kërkuar ndihmë nga autoritetet për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj dhe të fëmijëve.
Policia kanadeze po vijon hetimet, ndërsa identitetet e dy fëmijëve nuk janë bërë publike në respekt të familjes. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të procedurave hetimore dhe ekzaminimeve përkatëse.
