Influenceri meksikan i rrjeteve sociale, Cesar Gastelum, është qëlluar për vdekje teksa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok jashtë një restoranti të ushqimit të shpejtë në qytetin Culiacán, në Meksikë.
Sipas autoriteteve lokale, Gastelum, i njohur për videot e tij komike dhe me rreth 600 mijë ndjekës në TikTok, ndodhej me disa miq kur dy persona të maskuar me helmeta, që lëviznin me motoçikletë, iu afruan.
Sipas hetimeve paraprake, njëri prej autorëve hapi zjarr ndaj influencerit, i cili humbi jetën në vendngjarje. Autoritetet kanë nisur një operacion për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Ngjarja ndodh në një periudhë kur qyteti i Culiacánit vijon të përballet me një valë të fortë dhune, e lidhur me përplasjet mes grupeve rivale të krimit të organizuar për kontrollin e territorit.
Vrasja e Gastelum rikthen në vëmendje një tjetër ngjarje tronditëse në Meksikë. Në maj të vitit 2025, influencerja e bukurisë Valeria Márquez u vra gjatë një transmetimi live në TikTok brenda sallonit ku punonte. Për atë rast, autoritetet arrestuan më vonë një person të dyshuar si organizator i ekzekutimit.
