Një ngjarje tragjike ka tronditur zonën e North Hills në Los Anxhelos, ku katër persona, mes tyre dy fëmijë, janë vrarë pas një sulmi me armë zjarri brenda një banese.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, të shtënat u raportuan pak para orës 20:00 në Rrugën Londelius, ndërsa ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje pas telefonatave që sinjalizonin për disa viktima.
Kur zjarrfikësit dhe ndihma e shpejtë hynë në banesë, gjetën katër persona pa shenja jete, të cilët u shpallën të vdekur në vend.
Zona u rrethua menjëherë nga policia, ndërsa rruga e qetë e lagjes u kthye në një skenë krimi me hetues dhe forca të shumta sigurie.
Autoritetet konfirmuan se mes viktimave ndodheshin edhe dy fëmijë, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Hetuesit e kanë klasifikuar rastin si vrasje, por deri tani nuk është identifikuar apo arrestuar asnjë person i dyshuar.
Policia vijon hetimet për të zbardhur motivet e sulmit dhe për të identifikuar autorin ose autorët e ngjarjes së rëndë.
