Një ish-zëvendës policie, Sean Grayson, 31 vjeç, është shpallur fajtor për vrasjen me armë zjarri të Sonya Massey, një grua me ngjyrë në Amerikë.

Ngjarja tragjike ndodhi në 6 korrik 2024 në Springfield, kryeqyteti i Illinois, kur gruaja kishte telefonuar policinë për të raportuar për një hajdut dhe në vendngjarje mbërritën Grayson dhe një tjetër ndihmës sherifi, Dawson Farley. Sipas hetimeve, pas mbërritjes në shtëpi, oficerët vunë re një tenxhere me ujë të nxehtë në sobë. Grayson i kërkoi Massey-t ta hiqte atë, por situata mori një kthesë të papritur.

Sipas pamjeve nga kamera e trupit të oficerit, gruaja e cila vuante nga probleme të shëndetit mendor, i ishte drejtua oficerëve duke iu lutur që ata mos ta lëndonin. Pikërisht në atë moment, Grayson e interpretoi frazën si kërcënim dhe e qëlloi tre herë, duke e goditur në fytyrë dhe duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas u largua për të marrë pajisjet e ndihmës së shpejtë, por i hodhi ato në dysheme kur u kthye, gjë që prokurorët e përmendën si shenjë të shpërfilljes së tij për jetën e viktimës.

Në dëshminë e tij, Farley tha se Massey nuk përbënte asnjë rrezik dhe se nuk kishte bërë asgjë kërcënuese. Ai nuk përdori armë dhe nuk u akuzua. Megjithatë, Grayson mbrojti veprimin e tij duke pretenduar se kishte frikë se Massey mund ta digjte me ujin e nxehtë dhe se veproi për vetëmbrojtje.

Fillimisht, Grayson ishte akuzuar për vrasje të shkallës së parë, që mund të sillte deri në burgim të përjetshëm, por juria e gjeti fajtor për vrasje të shkallës së dytë, një akuzë që zbatohet kur i pandehuri vepron nën “provokim serioz” ose me bindjen, edhe të paarsyeshme, se po mbron veten.

Rasti shkaktoi indinjatë të gjerë publike dhe ringjalli debatin mbi përdorimin e forcës nga policia ndaj personave me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara. Vdekja çoi gjithashtu në ndryshime ligjore në Illinois, të cilat tani kërkojnë më shumë transparencë mbi të kaluarën e kandidatëve për punë në policinë dhe strukturat e rendit.