Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin Le Havre të Normandisë në Francë, ku një djalë 2-vjeçar, është sulmuar brutalisht nga një mi gjigant ndërsa flinte në shtratin e tij.
Prindërit e gjetën fëmijën të mbuluar me gjak dhe jashtëqitje të miut mëngjesin e 21 shtatorit, ndërsa shtrati i tij kishte njolla të dukshme gjaku.
Nëna e tij, Amel, e përshkroi momentin si makth.
“Nuk do t’ia uroja askujt ta gjente fëmijën e tij në gjendjen që gjeta timin” tha ajo.
I vogli ka pësuar dëmtime të rënda në vesh, fytyrë dhe dorë, ndërsa ka edhe mavijosje, flluska dhe një sy të nxirë. Mjekët po shqyrtojnë mundësinë e një transplanti lëkure ose rindërtimi të veshit, pasi gjendja e tij mbetet kritike. Aktualisht ai po trajtohet edhe për një infeksion serioz në dorë.

Pas ngjarjes, babai i fëmijës instaloi një kamerë sigurie në dhomë dhe pa se një mi “i madh sa një mace” zvarritej nëpër shtrat. Pak më vonë, miu u kap dhe u vra.
Banorët e zonës shprehin indinjatën e tyre, duke thënë se prej muajsh kanë paralajmëruar për pushtimin nga minjtë në ndërtesën ku jetonte familja. Një banor tha për mediat franceze:
“I shohim edhe ditën, duke vrapuar nëpër korridore e duke hyrë në apartamente sapo hapet dera”.
Familja është zhvendosur përkohësisht në një hotel, ndërsa autoritetet lokale përballen me kritika për mungesën e reagimit ndaj ankesave të përsëritura për gjendjen e rrënuar të ndërtesës.