Një Airbus A220-300 i “Croatia Airlines” me 130 pasagjerë në bord rrëshqiti nga pista në aeroportin e Splitit në Kroaci pasi pilotët vendosën të ndërpresin ngritjen në përputhje me procedurat e sigurisë.

“Të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë të sigurt, askush nuk u lëndua”, tha linja ajrore në një deklaratë, duke shtuar se avioni kishte një ekuipazh prej pesë personash. Pasagjerët kanë zbritur nga aeroplani dhe ndodhen në terminalin e aeroportit.

Një foto e publikuar nga faqja e internetit rajonale e lajmeve Damacijadanas.hr tregon aeroplanin të ndaluar në fund të pistës, me një motor që duket të jetë i dëmtuar dhe i mbështetur në bar përgjatë pistës. Në kohën e incidentit, avioni po përgatitej të ngrihej nga Spliti me destinacion Frankfurtin e Gjermanisë.

“Sipas informacionit të parë të disponueshëm, ekuipazhi e ndaloi avionin duke vepruar në përputhje me procedurat e përcaktuara të sigurisë. Më shumë informacion do të njoftohet pas përfundimit të kontrolleve të para teknike dhe procedurave zyrtare”, shpjegoi linja ajrore, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet e vendimit të pilotëve.