Një ngjarje tronditëse është zbuluar në lindje të Francës, ku një fëmijë 9-vjeçar u gjet i izoluar dhe në gjendje të rëndë shëndetësore brenda një furgoni.
Sipas raportimeve të The Guardian, alarmi u dha nga një fqinj në fshatin Hagenbach, pranë kufirit me Zvicrën dhe Gjermaninë, i cili kishte dëgjuar zëra që i ngjanin atyre të një fëmije nga një automjet i parkuar në zonë.
Pas ndërhyrjes, policia hapi me forcë furgonin dhe brenda tij gjeti një skenë alarmante: fëmija ishte i shtrirë në pozicion fetal, pa rroba, i mbuluar vetëm me një batanije dhe i rrethuar nga mbeturina dhe jashtëqitje. Prokurori Nicolas Heitz deklaroi se gjendja e tij ishte e rëndë, ndërsa për shkak të qëndrimit të gjatë në të njëjtin pozicion, ai kishte vështirësi edhe në lëvizje.
Hetimet zbuluan se djali mbahej në furgon që prej nëntorit 2024. Babai i tij, 43 vjeç, u justifikua para autoriteteve se kishte vepruar për ta “mbrojtur” nga partnerja e tij, e cila, sipas tij, kërkonte ta dërgonte fëmijën për trajtim psikiatrik.
Familja jetonte në një apartament së bashku me dy vajza të tjera, 12 dhe 10 vjeç. Sipas dëshmisë së fëmijës, babai i sillte ushqim dy herë në ditë dhe i linte ujë në shishe, por kushtet në të cilat jetonte ishin ekstreme. Ai tregoi se detyrohej të urinonte në shishe plastike dhe të përdorte qese mbeturinash për nevoja të tjera, ndërsa nuk kishte bërë dush që nga fundi i vitit 2024.
Babai pretendoi se partnerja e tij nuk kishte dijeni për situatën, megjithatë autoritetet kanë ngritur akuza ndaj të dyve. Ai përballet me akuzat për rrëmbim dhe mbajtje të paligjshme të një të mituri, si dhe për neglizhencë të rëndë ndaj shëndetit të tij, ndërsa është lënë në paraburgim. Partnerja e tij akuzohet për mosndërhyrje dhe mosdenoncim të abuzimit, por është lënë në gjendje të lirë me kushte.
Të tre fëmijët janë vendosur në kujdes të përkohshëm, ndërsa pritet vendimi i autoriteteve për fatin e tyre.
Fqinjët thanë se kishin pasur dyshime për mungesën e djalit që prej fundit të vitit të kaluar, por familja u kishte thënë se ai ndodhej në një institucion. Disa prej tyre raportuan se kishin dëgjuar zhurma nga furgoni, por u ishte thënë se vinin nga një mace.
Një banore e zonës, e identifikuar si Danielle, e përshkroi situatën si tronditëse për komunitetin. “Nuk arrijmë ta kuptojmë çfarë ka ndodhur. Është diçka e tmerrshme. Ndihemi sikur jemi brenda një historie jo reale,” u shpreh ajo për mediat, sipas Sky News.
