Një muzikant 55-vjeçar me origjinë nga Sicilia është gjetur i pajetë në një hotel në qendër të Perugias, ndërsa partnerja e tij është transportuar në spital në gjendje të rëndë. Dyshohet se të dy janë helmuar nga monoksidi i karbonit.
Karabinierët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një aksidenti. Sipas të dhënave paraprake, dhoma ku qëndronte çifti ndodhej pranë ambientit të kaldajës së hotelit dhe po verifikohet nëse rrjedhja e gazit ka ardhur nga sistemi i ngrohjes.
Çifti kishte udhëtuar drejt Perugias për të marrë pjesë në një aktivitet muzikor, ku së bashku me një grup prej rreth 40 artistësh ishte planifikuar të performonte në koncertin e organizuar në Sala dei Notari.
Shqetësimi u ngrit pasi dy muzikantët nuk u paraqitën në vendin e koncertit. Kolegët e tyre njoftuan hotelin, ndërsa gjatë kontrollit në dhomë u zbulua se 55-vjeçari kishte humbur jetën, ndërsa partnerja e tij u gjet pa ndjenja dhe u dërgua menjëherë në spital.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes dhe për të verifikuar nëse helmimi është shkaktuar nga një defekt në impiantin e ngrohjes.
