Një tragjedi e rëndë ka tronditur Islamabadin në Pakistan, ku një zjarr i fuqishëm në një maternitet ka shkaktuar vdekjen e 14 foshnjave të porsalindura.
Flakët shpërthyen në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në një njësi të maternitetit të Pakistan Institute of Medical Sciences (PIMS), një prej spitaleve kryesore shtetërore të kryeqytetit.
Në momentin e zjarrit, në repart ndodheshin 15 foshnja, por vetëm një prej tyre arriti të shpëtonte. Sipas dëshmive të familjarëve, ndërhyrja për nxjerrjen e foshnjave u vonua dhe disa prej tyre mbetën të bllokuara brenda.
Dëshmitarët kanë pretenduar se dyert e repartit ishin të mbyllura dhe se u detyruan t’i thyenin ato për të hyrë. Ekipet e shpëtimit përdorën gjithashtu dritaret për të depërtuar në ndërtesë.
Zjarri dyshohet se nisi nga një njësi kondicioneri në katin e tretë, në zonën e maternitetit ku qëndronin nënat dhe të porsalindurit.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi masat e sigurisë në spital. Familjarët pretendojnë se reparti nuk kishte dalje të përshtatshme emergjence dhe se një pjesë e stafit nuk ndodhej në zonë në momentin e zjarrit.
Një prej baballarëve të foshnjave që humbën jetën deklaroi se kishte qëndruar për tetë ditë në spital dhe se ndërtesa nuk kishte “siguri nga zjarri dhe dalje të përshtatshme”.
Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i spitalit, Rana Imran Sikander, ka mohuar se dera e repartit ishte e kyçur, duke shpjeguar se ajo mbahej e mbyllur nga personeli për të parandaluar vjedhjen e foshnjave.
Autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit dhe përgjegjësive për tragjedinë.
