Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur lagjen Fatih të Stambollit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.
Sipas raportimeve të mediave turke, incidenti dyshohet se nisi pas një konflikti mes pronarit të një dyqani dhe një klienti. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar mbi motivin, ndërsa raportimet paraprake sugjerojnë se përplasja mund të ketë ndodhur në një pikë këmbimi valutor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës. Një person i dyshuar për përfshirjen në ngjarje është arrestuar nga autoritetet.
Ndërkohë, një prej personave të plagosur është transportuar me ambulancë për të marrë ndihmë mjekësore.
Policia turke ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa vijon puna për zbardhjen e motivit dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
