Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mëngjes në Dallas, SHBA, ku një person i armatosur qëlloi mbi një grup emigrantësh në një strukturë të Shërbimit të Imigracionit dhe Doganave (ICE). Si pasojë, një emigrant humbi jetën dhe të paktën dy të tjerë mbetën të plagosur.
Autori i sulmit, që sipas policisë ishte një burrë i bardhë, hapi zjarr nga çatia e një ndërtese pranë objektit ku po qëndronin emigrantët, e më pas vrau veten sapo forcat e rendit iu afruan.
Ngjarja ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit me orën lokale, në momentin kur një autobus po ngarkohej ose shkarkohej me emigrantë të ndaluar nga ICE. Dy persona u dërguan me urgjencë në spital, ndërsa njëri ndërroi jetë në vendngjarje.
Deri tani nuk dihet ende motivi i sulmit. Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet dhe kanë shtuar masat e sigurisë rreth objekteve të ICE-së.
Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, u shpreh në rrjetin social “X” se ky ishte një akt i rëndë dhune ndaj emigrantëve dhe strukturave të rendit, duke shtuar se “kjo situatë duhet të marrë fund”.
Kjo nuk është hera e parë që strukturat e emigracionit në SHBA përballen me sulme. Vetëm muajin e kaluar, një person u arrestua pasi kërcënoi me bombë një tjetër qendër të ICE-së në Teksas.
