Një grup personash të armatosur ka sulmuar një shkollë në verilindje të Nigeria, duke rrëmbyer disa nxënës që po zhvillonin provimet kombëtare, konfirmuan autoritetet vendase.

Sipas policisë, sulmi ndodhi në qytetin Lasa, ku agresorët hynë në ambientet e shkollës dhe qëlluan në ajër për të shkaktuar panik mes nxënësve dhe stafit pedagogjik.

Pas sulmit, autorët morën me forcë një numër të rinjsh të moshës 16 deri në 17 vjeç dhe u larguan drejt zonave pyjore përreth.

Zëdhënësi i policisë, Nahum Kenneth Dassou, bëri të ditur se ushtria, policia dhe agjenci të tjera të sigurisë kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi për gjetjen dhe shpëtimin e nxënësve të rrëmbyer.

Të rinjtë po merrnin pjesë në provimet e organizuara nga Këshilli Kombëtar i Provimeve në momentin e sulmit.

Autoritetet nuk kanë bërë ende publik numrin e saktë të nxënësve të marrë peng, ndërsa hetimet për identifikimin e grupit përgjegjës vijojnë.