Një ngjarje e rëndë ka tronditur një shkollë në Staškov, në veriperëndim të Sllovakisë, ku një sulm me thikë ka shkaktuar vdekjen e një mësueseje 61-vjeçare dhe plagosjen e dy personave të tjerë.
Sipas shërbimeve të emergjencës, mësuesja nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra gjatë sulmit. Ndërkohë, një nxënës ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike.
I plagosur ka mbetur edhe një mësues 44-vjeçar, i cili ka marrë një goditje me thikë në pjesën e gjoksit. Të dy të plagosurit janë dërguar në spital, ku po marrin trajtimin mjekësor.
Policia sllovake ka deklaruar se situata në shkollë është vënë nën kontroll. Mediat lokale raportojnë se autori i dyshuar mund të jetë një nxënës rreth 14 vjeç.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe presidenti i Sllovakisë, Peter Pellegrini, i cili shprehu tronditjen për sulmin dhe ngushëllimet për familjen e viktimës. Kryeministri Robert Fico gjithashtu shprehu dhimbjen për ngjarjen dhe tha se po ndjek nga afër zhvillimet.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar saktësisht rrethanat dhe motivin e sulmit.
