Dy persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një kampus shkollor në Brandenburg të Gjermanisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në kampusin e shkollave private Docemus, në Neu Zittau, në distriktin Oder-Spree. Policia ndërhyri pas raportimeve për një person të armatosur dhe arrestoi të dyshuarin, një 19-vjeçar.

Sipas mediave lokale, viktimat janë një 18-vjeçare dhe një 30-vjeçar. Dyshohet se vajza ishte ish-e dashura e autorit, ndërsa 30-vjeçari u qëllua për vdekje pasi tentoi të ndërhynte për ta ndaluar sulmuesin.

Forca të shumta policie, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore u dërguan në vendngjarje rreth orës 13:45. Për shkak të situatës së rrezikshme, në operacion u përfshinë edhe dy helikopterë shpëtimi.

Policia rrethoi menjëherë ambientet e shkollës dhe vendosi barriera në oborr për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit.

Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe marrëdhënien mes 19-vjeçarit të arrestuar dhe viktimës 18-vjeçare.

Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të sulmit.