Tre persona janë plagosur me thikë në Brooklyn, vetëm pak orë përpara nisjes së paradës së Ditës së West Indies.
Sipas policisë, një 32-vjeçar dhe një 23-vjeçar kanë marrë plagë në qafë, ndërsa një 36-vjeçar është goditur me thikë në fytyrë.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Qarkut Kings. Dy prej tyre, 23-vjeçari dhe 36-vjeçari, ndodhen në gjendje të qëndrueshme, ndërsa 32-vjeçari është në gjendje kritike.
Ngjarja ka ndodhur disa blloqe larg festivalit J’Ouvert, i cili nis në orën 06:00 të mëngjesit dhe zhvillohet deri në orën 11:00, kur nis parada.
Autoritetet kanë marrë masa të shtuara sigurie për aktivitetin. Policia e Nju Jorkut ka njoftuar se mijëra efektivë do të jenë të angazhuar përgjatë itinerarit të paradës dhe në zonat përreth.
Parada pritet të përfundojë në orën 17:30, ndërsa masat e forta të sigurisë vijnë pas incidentit të vitit të kaluar, kur gjashtë persona u qëlluan me armë gjatë festimeve.
Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, e ka cilësuar operacionin e sigurisë si një prej angazhimeve më të mëdha të departamentit gjatë kësaj periudhe.
