Gruaja e ish-Kryeministrit të Nepalit, Jhala Nath Khanal, ka humbur jetën në mënyrë tragjike, pasi u dogj e gjallë gjatë djegies së shtëpisë së saj në kuadër të protestave të dhunshme antiqeveritare që kanë përfshirë vendin.

Sipas mediave rajonale, protestuesit i kanë vënë zjarrin ndërtesës së parlamentit dhe banesave të disa liderëve politikë, përfshirë edhe atë të ish-kryeministrit Khanal.

Trazirat, të cilat po e zhysin Nepalin në një krizë të thellë politike dhe shoqërore, janë udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, të revoltuar pas vendimit të qeverisë për të ndaluar rrjetet sociale.

Megjithatë, ndalimi i rrjeteve sociale është vetëm një nga shkaktarët e revoltës. Shumica e protestuesve shprehin pakënaqësi të thellë ndaj korrupsionit të përhapur dhe mungesës së mundësive ekonomike për brezin e ri.