Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkaktuar një tragjedi në Kili, ku 16 persona kanë humbur jetën pasi një azil për të moshuar u përfshi nga flakët.

Ngjarja ka ndodhur në komunën Pitrufquén, në rajonin e Araucanías, në jug të kryeqytetit Santiago. Viktimat janë konfirmuar nga autoritetet lokale, ndërsa bashkia ka shprehur ngushëllimet për familjet e të moshuarve që humbën jetën.

Flakët shpërthyen gjatë mbrëmjes së së premtes dhe përfshinë ambientet e azilit. Ekipet zjarrfikëse ndërhynë menjëherë për të kufizuar përhapjen e zjarrit.

Sipas autoriteteve, situata u vu nën kontroll gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.

Ndërkohë, ende nuk dihen shkaqet që shkaktuan zjarrin. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e tragjedisë.