Të paktën 41 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e përmbysjes së një autobusi pasagjerësh në autostradën Kaman–Ankara, pranë qytetit të Kırıkkale në Turqi.

Sipas mediave turke, autobusi doli nga rruga pasi shoferi humbi kontrollin mbi drejtimin e mjetit, duke u përmbysur në anë të autostradës.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje u dërguan forca të shumta të policisë, ekipe zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat u ofruan ndihmën e parë të lënduarve dhe i transportuan në spitalet më të afërta.

Autoritetet turke kanë konfirmuar se tre prej të plagosurve ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa pjesa tjetër po merr trajtim mjekësor. Ndërkohë, është hapur një hetim për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.