Skena paniku shpërthyen të dielën në mëngjes në qendrën tregtare Northland në Preston, pasi një sulm me thikë la të plagosur deri në katër persona, sipas raportimeve fillestare nga mediat australiane.

Autoritetet reaguan me shpejtësi, duke mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe duke rrethuar zonën me forca të shumta policie. Qendra tregtare u evakua dhe u bllokua për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të lehtësuar hetimet.

Një person është arrestuar si i dyshuar për kryerjen e sulmit, ndërsa policia vijon kërkimet për dy persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në incident.

Gjendja shëndetësore e të plagosurve ende nuk është bërë e ditur. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm apo të rastësishëm, ndërsa hetimet janë në vazhdim.