Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 Rihter ka goditur Turqinë mbrëmjen e së hënës, duke shkaktuar panik dhe kaos mes banorëve. Tërmeti kishte qendrën në qytetin Sidirgi, në perëndim të Turqisë, dhe u ndje edhe në ishujt e Egjeut të Veriut.

Mediat turke raportojnë se paniku i shkaktuar nga lëkundjet ka çuar disa qytetarë të hidhen nga ballkonet e ndërtesave, duke shkaktuar 22 të plagosur. Guvernatori i provincës Balikesir, Ismail Ustaoglu, ka konfirmuar se 22 persona janë shtruar në spital, ndërsa katër prej tyre janë larguar pas trajtimit të lëndimeve të lehta.

“Ka qytetarë që, në panik, u hodhën nga ballkonet dhe pësuan lëndime të lehta,” tha Ustaoglu, duke shtuar se shumë banorë e kaluan natën jashtë, në makina dhe nëpër rrugë, për shkak të frikës nga tërmeti.

Tërmeti ka shkaktuar gjithashtu dëme strukturore, me tre ndërtesa të braktisura dhe një dyqan që janë shembur, sipas Ministrit të Brendshëm, Ali Yerlikaya. Ai informoi se ekipet e shpëtimit janë duke inspektuar zonën për të vlerësuar dëmet dhe për të identifikuar çdo problem tjetër.

Ky tërmet është i dyti më i madh në tre muaj në këtë rajon, dhe sipas sizmologut turk Sener Usomezsoy, ai është një vazhdimësi i dridhjeve të mëparshme. Tërmeti është shkaktuar nga një çarje 15 kilometrash, që ka vazhduar në jug dhe ka shkaktuar një çarje të re, duke e zgjatur në një seksion sipërfaqësor rreth 100 kilometra.

Usomezsoy theksoi se këto lëkundje pasuese nuk janë pasgoditje, por një tërmet që ka ndodhur si rezultat i dridhjes që ndodhi më 10 gusht. “Lëkundjet po shtrihen vazhdimisht në jug drejt një çarjeje të re,” tha ai, duke shtuar se ky është një fenomen natyror që po vazhdon në rajon.