Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe 41 të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një traget indonezian u përfshi nga flakët gjatë lundrimit në det të dielën. Sipas Agjencisë Kombëtare të Kërkimit dhe Shpëtimit të Indonezisë (Basarnas), disa pasagjerë u detyruan të hidheshin në det për t’i shpëtuar zjarrit dhe u shpëtuan nga një anije që ndodhej pranë vendngjarjes.

Autoritetet njoftuan se 225 persona nga ata që ndodheshin në bordin e tragetit janë shpëtuar, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave të zhdukur. Sipas Agjencisë Rajonale të Kërkimit dhe Shpëtimit në Surabaya, katër anije të tjera ishin vendosur në gatishmëri pranë tragetit, por nuk mundën t’i afroheshin për shkak të rrezikut që paraqisnin materialet e ndezshme në bordin e mjetit lundrues. Kompania që operonte tragetin tha se kishte marrë një telefonatë nga kapiteni i anijes, i cili raportoi zjarrin ndërsa trageti po udhëtonte nga Surabaya, në Java Lindore, drejt Makassarit në Sulawesi Jugor.

Megjithatë, Basarnas bëri të ditur se kapiteni nuk kishte komunikuar më pas raportimit fillestar, ndërsa një operacion më i gjerë shpëtimi është nisur nga Surabaya, rreth gjashtë orë larg nga vendi i incidentit