Momente paniku janë regjistruar të martën pasdite në Ilford, ku një vajzë e vogël mbeti e varur në pragun e një dritareje në katin e dytë të një ndërtese banimi.
E mitura qëndroi në atë pozicion për rreth nëntë minuta, ndërsa banorët dhe kalimtarët e shumtë të mbledhur poshtë përpiqeshin të gjenin një mënyrë për ta shpëtuar. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një grua që tenton ta arrijë vajzën nga dritarja e apartamentit poshtë, ndërsa turma i jepte udhëzime.
Pak më vonë, një efektiv policie dhe një qytetar u pozicionuan poshtë dritares, të gatshëm për të ndërhyrë në rast se fëmija binte.
Pas disa minutash ankthi, vajza humbi mbajtjen dhe ra, por u kap në kohë nga polici dhe qytetari, duke shmangur një tragjedi. Shpëtimi i saj u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit.
Autoritetet vendase nuk kanë dhënë ende informacion mbi gjendjen shëndetësore të të miturës.
